Çitaku: Kurti kërkon nënshtrim total të opozitës dhe shoqërisë (VIDEO)

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka folur rreth zhvillimeve të fundit politike në Kosovë dhe situatën në Kuvend.

Çitaku ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se zhvillimet e fundit janë pjesë e një sage që, sipas saj, ka nisur dy vjet më parë.

“Është përtej imagjinatës ajo që po ndodh në Kosovë në dy vitet e fundit dhe kjo çka po ndodh tani është vetëm sekuenca e fundit e një sage të nisur dy vite më parë nga LVV dhe Albin Kurti, të cilët me çdo kusht kërkojnë nënshtrim total jo vetëm të opozitës, por edhe të shoqërisë. Veprimet që i marrin në Kuvend janë vetëm një segment i platformës politike që ata përfaqësojnë”, ka thënë Çitaku në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova.

Ajo ka thënë se rezistenca është e domosdoshme dhe se veprimet e deputetëve të opozitës në Kuvend nuk kanë qenë aksion politik.

“Të rezistosh sot është domosdoshmëri. Qytetari ta kuptojë që sot nuk kemi bërë aksion politik, por kemi shkuar aty sepse na kërkon ligji dhe Kushtetuta”, është shprehur ajo.

Çitaku ka treguar se deputetët kishin qenë në Kuvend edhe para 48 orësh, por dera e sallës, sipas saj, kishte qenë e mbyllur.

“Kemi qenë në Kuvend edhe para 48 orësh, dera ka qenë e mbyllur, deputetët kanë provuar ta hapin derën, por ajo ka qenë e mbyllur”, ka thënë Çitaku, njofton .