Cila ishte oferta e Kurtit për PDK-në, e zbulon Hamza

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka deklaruar se për këtë parti çështja e presidentit tashmë është e mbyllur.

Hamza është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, pavarësisht se, sipas tij, PDK ka ofruar mbështetje për një kandidat konsensual për president, “pa u përfshirë në qeverisje”.

I pari i PDK-së ka theksuar gjithashtu se kjo parti nuk ka marrë ftesë zyrtare nga kryeministri Albin Kurti për të diskutuar për postin e presidentit.

“Oferta e Kurtit ishte që deputetët e PDK-së të qëndrojnë në sallë për Presidentin dhe si këmbim PDK të marrë kryetarin e Kuvendit. Kjo nuk është serioze. Nuk jemi duke folur për kryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Hamza në një konferencë për media.