Fabio Capello ka ndarë mendimet e tij për Kupën e Botës në një analizë për “Gazzetta dello Sport”, duke veçuar disa skuadra si favorite për triumfin final: “Përpara të gjithëve është Franca, e cila në nivel klubesh po dominon Champions League me PSG-në dhe në kombëtare ka kampionë të mëdhenj. Kjo kombëtare ka mentalitet, dëshirë dhe vendosmëri, mund të jetë vërtet superiore ndaj të tjerave. Në sulm, mes Michael Olise dhe të tjerëve, ka cilësi sa për dy skuadra”.
Capello përfshin mes favoritëve edhe Spanjën: “Ka një sistem të madh loje, në Europianin e fundit tregoi edhe mentalitetin e duhur”. Ai shprehu interes edhe për Anglinë, duke theksuar se Thomas Tuchel “e ka ndërtuar skuadrën sipas dëshirës së tij”.
Në anën tjetër, ai përjashton Gjermaninë nga favoritët: “Nuk e vendos Gjermaninë mes favoritëve, por jam kurioz të shoh nivelin aktual të futbollit gjerman”.
Për Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti tha: “Është shumë interesant. Ancelotti është një trajner i madh, di gjithçka për futbollin dhe si të hyjë në mendjen e lojtarëve. Psikologjikisht është shumë i fortë dhe mund të bëjë diferencën”.
Për Argjentinën shtoi: “Nëse është mirë fizikisht, ka shumë lojtarë që mund të vendosin ndeshje, nga Lautaro e më tej, përfshirë Nico Paz, i cili më pëlqen shumë dhe mund të jetë surpriza e turneut”.
The post Capello bën “skanerin” e Botërorit: Favoritët? Nuk e përfshij Gjermaninë, kujdes nga Ancelotti appeared first on Telesport.








