Bordi i Paqes i shpallur nga Donald Trump në fillim të këtij viti për të qeverisur Gazën, po planifikon t’i japë vetes një imunitet të gjerë ligjor, sipas një projekt-rezolute të siguruar nga TheGuardian. Gjuha e projektit do t’i lejonte gjithashtu organizatës të merrte prona publike në Gazë “pa pagesë”.
Rezoluta prej katër faqesh, e klasifikuar si “e ndjeshme, por jo e klasifikuar”, zgjeron mbrojtje të gjera për çdo anëtar të Bordit të Paqes dhe degës së tij administrative, Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), si dhe për teknokratët palestinezë, forcat ushtarake ndërkombëtare dhe kontraktorët jorezidentë të përzgjedhur për të punuar në Gazë. Ajo përcakton se imuniteti ligjor do të përfshinte mbrojtje nga “çdo arrestim, ndalim apo procedim gjyqësor në gjykatat ose organet e tjera në Gazë”.
Nuk është e qartë nëse dokumenti synon ta përjashtojë Bordin e Paqes dhe bashkëpunëtorët e tij edhe nga ndjekja penale në gjykatat ndërkombëtare, përveç pretendimeve të mundshme në Gazë.
Kryetari i Bordit të Paqes, Donald Trump, do të kishte të drejtën të hiqte imunitetin ligjor të një personi, me kusht që kjo të mbështetej nga shumica e anëtarëve të bordit, sipas projekt-rezolutës së qershorit 2026.
Presidenti amerikan Donald Trump mban kartën themeluese të nënshkruar gjatë takimit të “Bordit të Paqes” në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, më 22 janar 2026.
Çfarë është Bordi i Paqes i Trumpit dhe kush është i përfshirë?
Shtëpia e Bardhë ia referoi pyetjet Bordit të Paqes.
Bordi nuk iu përgjigj pyetjeve specifike rreth projekt-rezolutës, por një zyrtar deklaroi:
“Nuk ekziston asnjë rezolutë në fuqi apo kornizë imuniteti e llojit të përshkruar në pyetjet tuaja… Çdo sugjerim se ky proces synon të krijojë mungesë ligjshmërie ose pandëshkueshmëri është i gabuar, mashtrues dhe e shtrembëron plotësisht çështjen.”
Zyrtari shtoi se “pretendimi se Presidenti do të ketë rol në vendosjen ose heqjen e imunitetit në Gazë është kategorikisht i rremë”, dhe se “Bordi do të sigurojë që i gjithë personeli, kontraktorët dhe subjektet pjesëmarrëse të respektojnë ligjin në fuqi dhe të veprojnë sipas rregullave të qarta, mbikëqyrjes dhe mekanizmave të përgjegjshmërisë”. Megjithatë, ai nuk shpjegoi se si do të funksiononin këta mekanizma.
Nickolay Mladenov, diplomati bullgar që shërben si Përfaqësues i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, është takuar këtë javë në Kajro me administratorët palestinezë të përzgjedhur nga bordi për të qeverisur Gazën. Sipas një personi të njohur me axhendën, diskutimet janë përqendruar në përmirësimin e kuadrit të punës së grupit në territor. Ky person tha gjithashtu se projekt-rezoluta për imunitetin, me titull “REZOLUTA NR. 2026/3”, nuk u është shpërndarë përfaqësuesve palestinezë.
“Pa mbikëqyrje të jashtme”
Gjashtë juristë të specializuar në të drejtën amerikane të kontratave dhe të drejtën ndërkombëtare të konflikteve të armatosura shqyrtuan projekt-rezolutën për The Guardian.
Sipas tyre, nëse rezoluta hyn në fuqi, mbetet e paqartë se si zyrtarët e Bordit të Paqes, ushtarët dhe kontraktorët do të mbaheshin përgjegjës në rast të të shtënave ose aksidenteve që prekin banorët e Gazës, apo edhe se si do të zgjidheshin mosmarrëveshjet e zakonshme mbi biznesin ose përdorimin e tokës.
Përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për rindërtimin e Irakut dhe Afganistanit janë shoqëruar shpesh me polemika për korrupsion dhe raste të vdekjeve ose abuzimeve ndaj civilëve nga kontraktorët amerikanë, përfshirë ata të Blackwater dhe KBR, të cilët më pas u përballën me procese gjyqësore në SHBA. Çdo përpjekje për rindërtimin e Gazës mund të përballet me sfida të ngjashme.
“Ky duket si një përpjekje për ta përjashtuar bordin dhe të gjithë personelin e tij nga përgjegjësia për shkelje të mundshme ligjore,” tha Emily Schaeffer Omer-Man, eksperte në çështjet e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Disa juristë, përfshirë Omer-Man, ngritën shqetësime për nenin 7 të projektit, me titull “Përgjegjësia ndaj Palëve të Treta/Kërkesat”, i cili parashikon që vetë Bordi i Paqes të shqyrtojë dhe vendosë për kërkesat që lidhen me humbjen ose dëmtimin e pronës, si dhe lëndimet, sëmundjet apo vdekjet që rrjedhin nga aktiviteti i tij në Gazë.
“Ata në thelb po thonë se nuk do të ketë asnjë mbikëqyrje të jashtme, përfshirë edhe zbatimin e së drejtës ndërkombëtare lidhur me pushtimin,” tha Noura Erakat, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Rutgers. “Po krijohet një sistem juridik që funksionon më vete.”
Kontraktorët kanë kërkuar gjithashtu qartësi lidhur me mbrojtjen ligjore për punën e mundshme në Gazë, ku bordi i mbështetur nga Trump ka kërkuar oferta për largimin e rrënojave, sigurinë dhe një program të gjerë rindërtimi. Jared Kushner ka folur për transformimin e territorit bregdetar në një zonë me resorte luksoze, qytete të teknologjisë së lartë dhe qendra rajonale biznesi.
Ligjet që rregullojnë kontraktorët ndërkombëtarë dhe forcat ushtarake zakonisht përcaktohen në marrëveshje ndërmjet shteteve për statusin e forcave, por për Gazën nuk ekziston një dokument i tillë. Kontraktorët amerikanë mund t’i nënshtrohen ligjit amerikan për disa krime edhe kur veprojnë jashtë vendit.
“Mendoj se çdo kompani do të donte një kuadër shumë të qartë ligjor,” tha Doug Brooks, president emeritus i Shoqatës Ndërkombëtare të Operacioneve të Stabilitetit. “Ka çështje përgjegjësie që çdo kompani serioze amerikane do të dëshironte t’i kishte të qarta.”
Një kontraktor amerikan i sigurisë tha se zyrtarët izraelitë nuk dëshirojnë të negociojnë një marrëveshje për statusin e forcave në Gazë, sepse Izraeli nuk dëshiron ta njohë Gazën si shtet.
“Është shumë e rëndësishme për mbulimin politik, ligjor dhe sigurimin,” tha ai. “Gjithashtu u jep banorëve të Gazës qartësi dhe siguri për mënyrën se si do të trajtohen nga kontraktorët me të cilët mund të kenë kontakt.”
Ambiente falas për Bordin e Paqes
Pjesa e fundit e projekt-rezolutës, me titull “Ambientet e Bordit të Paqes, OHR-së dhe ISF-së”, parashikon që grupit “do t’i vihen në dispozicion, pa pagesë, ambientet dhe objektet publike të nevojshme për përmbushjen e misioneve në Gazë”.
Ekspertët ligjorë thanë se kjo formulim mund të hapte rrugën për konfiskimin e paligjshëm të pronës palestineze. Nuk është e qartë se cili subjekt – Izraeli, Hamasi apo Autoriteti Palestinez – do të ishte përgjegjës për t’ia vënë këto ambiente në dispozicion Bordit të Paqes dhe në çfarë kushtesh.
Sipas kontraktorëve të përfshirë në proces, Bordi planifikon të ndërtojë një bazë për një forcë ushtarake ndërkombëtare dhe qendra logjistike për operacionet e tij. Kjo forcë synon të ndihmojë në çarmatimin e Hamasit, një hap kyç në planin e paqes të Trumpit. Izraeli ka refuzuar të vazhdojë me hapat e parashikuar nga marrëveshja e armëpushimit e nëntorit 2025 nëse Hamasi vazhdon të mbajë armë.
“Duke shpallur në mënyrë të njëanshme të drejtën për të marrë tokë, prona dhe ndërtesa palestineze për përdorimin e vet pa pëlqim, kompensim apo mjete ankimi, Bordi i Paqes po ndjek shembullin e praktikave shtypëse të Izraelit,” tha Omar Shakir, drejtor ekzekutiv i organizatës Dawn. “Larg nga sinjalizimi i fundit të gjenocidit, aparteidit dhe pushtimit, ky dokument sugjeron forcimin e disa prej karakteristikave më të këqija të tyre. Kjo rrezikon jo vetëm bashkëfajësi, por edhe kryerje të drejtpërdrejtë të shkeljeve të rënda.”
Disa juristë ngritën gjithashtu pikëpyetje mbi autoritetin ligjor të Bordit të Paqes për të marrë kontrollin e objekteve publike.
“Nëse nuk kanë një marrëveshje për statusin e forcave me Izraelin, atëherë nuk është e qartë se cili do të ishte autoriteti ligjor i bordit,” tha Brad Parker nga Center for Constitutional Rights.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka autorizuar Bordin e Paqes të mbikëqyrë administrimin e Gazës deri më 31 dhjetor 2027. Karta e OKB-së u jep diplomatëve dhe organizatave të saj mbrojtje të caktuara ligjore për punën e kryer në misionet jashtë vendit. Gjuha e projekt-rezolutës duket se mbështetet në këto kuadro ekzistuese, të cilat përfshijnë mbrojtje kundër arrestimit të diplomatëve të OKB-së gjatë detyrës zyrtare dhe mbrojtje ndaj konfiskimit të pronës së OKB-së. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Bordi i Paqes mund të mbështetet në këto imunitete për mbrojtjen e vet.
Projekti thotë se rezoluta do të hyjë në fuqi me nënshkrimin e Nickolay Mladenovit. Bordi i Paqes nuk iu përgjigj pyetjeve nëse palë të tjera do ta nënshkruanin këtë rezolutë.
“Sa vlerë ka ky dokument nëse ata janë të vetmit që e nënshkruajnë?” tha Shakir.








