Blerim Devolli e padit kryesindikalistin e Telekomit veç se i ka mbrojtur interesat e punëtorëve

Biznesmeni Blerim Devolli në kohën kur kërcënonte me përmbarues Telekomin dhe e shantazhonte që të vazhdohej marrëveshja me PTK-në, e cila i kushtoi humbje milionëshe kompanisë publike, vendosi që të merret pak edhe me sindikalistët. Duke u thirrur në një deklaratë që kreu i Sindikatës, Lamih Balaj, e bëri në “DPT te Fidani” në T7, biznesmeni Devolli paraqiti kallëzim penal kundër tij, me pretendimin se po i rrezikohet jeta atij, gruas e fëmijëve të tij. Balaj e ka pranuar se ka dhënë intervistë në polici, derisa ka shtuar se nuk ka kërcënuar asnjë individ, shkruan Gazeta Express.

Një deklaratë e kreut të Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së, Lamih Balaj, në emisionin “DPT te Fidani” në T7 bëri që biznesmeni Blerim Devolli të paraqesë kallëzim penal kundër tij, krejt kjo me pretendimet se po i rrezikohet familja.

Ani pse, në këtë deklaratë, që është publike edhe në platformën Youtube, nuk përmendet askund emri i Blerim Devollit, biznesmeni ka zgjedhur që të drejtohet te organet e rendit, nën pretendimet se me këtë po rrezikohet ai, gruaja e fëmijët e tij.

Kallëzimi penal nga Devolli është bërë për një deklaratë të dhënë në muajin maj, saktësisht më 15 maj, kur edhe kompania Z-Mobile kishte kërcënuar me dërgim te përmbaruesi kompaninë publike Telekom, duke kërkuar edhe që marrëveshja me PTK-në të vazhdohet.

Në një përgjigje për Gazetën Express, kryesindikalisti Lamih Balaj ka konfirmuar se dje është ftuar nga hetuesia për të dhënë deklaratë lidhur me këtë çështje.

“Nuk më shqetëson kjo punë, ne e kemi bindur opinionin dhe e kemi kryer misionin tonë me individë nuk jam marrë asnjëherë, jam i hapur ndaj organeve të drejtësisë. Me fakte kemi deklaruar se pse duhet të përfundojë kjo kontratë, nuk jam çuditur nga shpifjet e tilla sepse në media unë kam treguar realitet dhe asnjëherë s’kam kërcënuar asnjë individ”, ka deklaruar Balaj.

Gazeta Express sjell të plotë transkriptimin e asaj se çka ka deklaruar në emisionin “DPT te Fidani” Lamih Balaj, për të cilat pretendon Blerim Devolli se është kërcënuar.

“Na vetë nuk kemi me leju sikur punëtorë me ndodhë ato që kanë ndodhë me Telekom, po e them bordi është me e shkëputë kontratën me Z-Mobile menaxhmenti me shkëputë, Sindikata nuk diskutohet nuk pranon asnjë kompromis.

Nëse don politika edhe thotë duhet me ja vazhdu, une besoj që ka presione po nuk besoj që qet dikush gisht prej bordit e menaxhmentit, dhe s’duhet me marrë guximin me qitë gisht kërkush, sepse nashta edhe dy – tri vjet jo po mas 5 vjetëve kanë me shku në burg te tanë, ka me i hetu dikush këto kontrata edhe kanë me i çu në burg.

Edhe duhet me menu edhe një sen që edhe pronari i Z-Mobile që po ja them në këtë studio edhe njëherë që na nuk e kemi për hajgare, e kemi koxha seriozisht, edhe kryeministri, edhe krye parlamentari, edhe gjithë deputetëve që me na lanë 3600 familjeve që kena dhanë mund na kanë vdek punëtorët tu u rrëzu prej antenave prej shtyllave të telefonisë, me naj lanë këtë mund edhe me thanë sot kena me jua blloku llogaritë, ka me pas telashe, këto le ta dinë edhe policia edhe prokuroria, ka me pas telashe valla, le te runë biznesin e vetë nëse do me rujtë, po jo me ma vjedhë djersen teme sepse na jemi te pa sa fitojmë na edhe sa përfiton ai”.