Berisha-Muharremi: Kosova së shpejti anëtarësohet në Shoqatën Evropiane për Studime të Obezitetit

Kosova ka shënuar një hap të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë dhe shkencës, duke u prezantuar me sukses në ngjarjen më të madhe evropiane për obezitetin, ECO2026 – Kongresi i 33-të i European Association for the Study of Obesity, që po mbahet në Stamboll.

Përveç prezantimit të një punimi shkencor, gjatë këtij kongresi është bërë edhe zyrtarizimi i një arritjeje të rëndësishme për vendin: themelimi i Shoqatës Kosovare për Obezitet (SHKO). Lajmi është bërë i ditur nga kryetarja e sapozgjedhur e kësaj shoqate Prof. Dr. Venera Berisha Muharremi, e cila njoftoi zyrtarisht edhe kryetarin e organizatës evropiane, Prof. Volkan Yumuk, për krijimin e SHKO-së.

Sipas saj, Kosova shumë shpejt pritet të bëhet pjesë zyrtare e kësaj organizate të madhe evropiane, duke hapur rrugë të reja për avancim profesional dhe shkencor në trajtimin dhe studimin e obezitetit.

Synimet kryesore të SHKO-së do të jenë avancimi shkencor në fushën e obezitetit, ndikimi në përmirësimin e shëndetit publik në Kosovë, si dhe rrjetëzimi i profesionistëve shëndetësorë kosovarë me ekspertët dhe institucionet më të rëndësishme evropiane.

Ky zhvillim konsiderohet një moment i rëndësishëm për komunitetin mjekësor dhe shkencor në Kosovë, duke e vendosur vendin në hartën evropiane të organizimeve dhe iniciativave për luftimin e obezitetit.