Qyteti 2400 vjeçar i Beratit, i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë është renditur në vendin e dytë mes 30 vendeve më të bukura në Evropë.
E përditshmja britanike “The Telegraph” ka publikuar një artikull referuar Shoqatës Japoneze të Agjencive të Udhëtimit, (JATA) për qytetet më të bukura në Europë.
Në listën e publikuar mes 30 qyteteve, renditet edhe Berati në vendin e dytë.
“Mangalemi, në qytetin e Beratit shtrihet në brigjet e lumit Osum dhe është në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Në periudhën e mesjetës ka qenë një qytet kufitar i Perandorisë Bizantine, që gjë e dëshmon kështjella e tij”, thuhet në shkrimin e publikuar nga “The Telegraph”.
Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë (JATA)./ATSH