Bashkimi Evropian ka vendosur të zhbllokojë fondet me vlerë prek16.4 miliardë euro për Hungarinë, pas reformave të ndërmarra nga qeveria e re e kryeministrit Peter Magyar në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Vendimi u bë i ditur të premten në Bruksel nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila konfirmoi se Hungaria ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për lirimin e fondeve të ngrira prej vitesh, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Sipas saj, janë zhbllokuar 10 miliardë euro nga Fondi Evropian i Rimëkëmbjes, ndërsa 4.2 miliardë euro të tjera do të vijnë nga fondet e kohezionit.
Po ashtu, Komisioni Evropian ka konstatuar progres të rëndësishëm edhe në lidhje me 2.2 miliardë euro shtesë, të cilat lidhen me garantimin e lirive akademike dhe autonominë e institucioneve arsimore.
“Është krijuar një kornizë e fuqishme që siguron adresimin e çështjeve që lidhen me korrupsionin, transparencën dhe sundimin e ligjit”, deklaroi Von der Leyen gjatë prezantimit të vendimit.
Fondet për Hungarinë ishin bllokuar gjatë viteve të fundit për shkak të shqetësimeve të ngritura nga Brukseli lidhur me qeverisjen e mëparshme të kryeministrit Viktor Orban.
Institucionet evropiane kishin kritikuar vazhdimisht Budapestin për mangësi në pavarësinë e gjyqësorit, transparencën institucionale dhe luftën kundër korrupsionit.
Sipas mediave ndërkombëtare, marrëveshja e arritur mes Brukselit dhe Budapestit shihet si një pikë kthese në marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Hungarisë, pas 16 vitesh të qeverisjes së Viktor Orbanit.









