Bayerni i penalizuar nga arbitrimi? Ballack: Më duket sikur u tentua të ndikohej ndeshja

Në Gjermani nuk po shuhen polemikat pas eliminimit të Bayern Munich ndaj PSG në gjysmëfinalen e Champions League. Në qendër të kritikave është arbitrimi i ndeshjes së kthimit, i kundërshtuar nga shumë ish-lojtarë dhe analistë gjermanë.

Ndër reagimet më të forta ishte ai i Michael Ballack. Ish-mesfushori i kombëtares gjermane, në një intervistë për DAZN, kritikoi veçanërisht episodin e Nuno Mendes, i cili sipas tij duhej të ndëshkohej me karton të dytë të verdhë, duke e lënë PSG me një lojtar më pak.

“Ishte një situatë që ndryshoi ndeshjen. Është hera e parë që shoh arbitrin e katërt të ndërhyjë në një episod të tillë”, – deklaroi Ballack. Më pas ai shtoi edhe më rëndë: “Kisha ndjesinë se nuk donin të jepnin kartonin e dytë të verdhë. Ky është perceptimi im si spektator dhe po e them shumë qartë”.

Ish-lojtari i Bayernit la të kuptohej gjithashtu se kishte dyshime mbi interpretimin e përgjithshëm arbitral: “Ndonjëherë duket sikur tentohet të ndikohet rrjedha e një ndeshjeje. Nuk po akuzoj askënd drejtpërdrejt, por ajo situatë nuk e justifikonte atë vendim”. Deklaratat e tij ndezën edhe më shumë debatin në Gjermani, aq sa “Bild” foli hapur për “dyshime komploti kundër Bayernit”.

 

The post Bayerni i penalizuar nga arbitrimi? Ballack: Më duket sikur u tentua të ndikohej ndeshja appeared first on Telesport.