Banorja rrëfen momentet pas vrasjes në Korçë: Dëgjova një zhurmë të madhe, pashë të riun të shtrirë

Kozeta Shagla banore e pallatit ku u vra dhe 20-vjeçari Joan Zhuko në Korçë, ka rrëfyer momentet e para pas të shtënave.

Shagla tregon se ndodhej në banesë së bashku me nënën e saj kur dëgjoi një zhurmë të fortë dhe doli nga banesa për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Ajo tregon se sapo doli ishte momenti kur pa dhe viktimën të shtrirë përtokë, shkruan Euronewsal, \.

“Unë isha brenda në shtëpi. Dëgjova një zhurmë të madhe, sikur plasi diçka. I thashë mamit se do të dilja të shikoja çfarë po bëhej, mos kishte rënë ndonjë njeri nga shkallët që ta ndihmoja. Ngjitem unë me vrap dhe shikoj një njeri të shtrirë poshtë në tokë, barkas. Nuk e mblidhja dot veten fare.

Pashë djalin të shtrirë poshtë, rreth dy metra, dhe po i rridhte gjak nga koka. Nuk e harroj atë skenë”.

Ajo thekson se nuk e njihte viktimën dhe se 20-vjeçari nuk ishte banor i pallatit.

“Nuk e njohim fare. S’është i pallatit, nuk është i pallatit tonë. Nuk e njihja fare. Nuk e di as ku banonte. Është tmerr. Një tronditje e madhe. Është tmerr i Zotit. Ne këtu na luajnë fëmijët çdo ditë. Nuk e kuptoj çfarë po bëhet. Unë nuk e preka me dorë. Nuk e preka me dorë. Por atë skenë nuk e harroj”, u shpreh ajo.