Balla: Respekt për Ramush Haradinajn, familja e tij e pagoi me gjak çmimin e lirisë

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Shqipëri, Taulant Balla, ka reaguar pas kërcënimit për pushkatim ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke shprehur solidaritet dhe respekt për figurën e tij dhe familjen Haradinaj.

“Respekt për Ramush Haradinajn, ky emër i lidhur ngushtë me historinë e luftës për lirinë e Kosovës dhe me shtetndërtimin e saj”, ka shkruar Balla.

Ai ka vënë në pah edhe sakrificën e familjes Haradinaj gjatë luftës së Kosovës, duke përmendur dy vëllezërit e Ramush Haradinajt, Luanin dhe Shkëlzenin, të cilët ranë dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në familjen Haradinaj, sakrifica për Kosovën është e jashtëzakonshme. Dy vëllezërit, Luan Haradinaj dhe Shkëlzen Haradinaj, ranë dëshmorë të UÇK-së. Kjo familje e ka paguar me gjak çmimin e lirisë”, është shprehur Balla.

Reagimi i tij vjen pas kërcënimeve të rënda ndaj Ramush Haradinajt, në një kohë kur ish-kryeministri i Kosovës vazhdon të jetë një prej figurave të njohura të politikës kosovare dhe të luftës së UÇK-së.