Bajrami në mbrojtje të Janina Ymerit: Vetëvendosje po e sulmon sepse denoncoi “mafinë energjetike”

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka dalë në mbrojtje të bashkëpartiakes Janina Ymeri, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e sulmon për shkak të angazhimit të saj në denoncimin e asaj që e quan “mafi energjetike”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bajrami tha se Ymeri ishte ndër zërat e parë që ngriti dyshime serioze për zhvillimet në sektorin e energjisë dhe kërkoi hetime e transparencë.

Sipas saj, Ymeri ka dërguar kërkesa për hetim në Agjencinë për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER), në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, si dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku, siç tha Bajrami, të dyja janë thirrur për të dëshmuar.

Bajrami pretendon se sulmet ndaj Ymerit lidhen me një pyetje që ajo i kishte drejtuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me ofertën për gazin amerikan për Kosovën, duke shtuar se kjo po paraqitet padrejtësisht si veprim “antikombëtar”.

“Antikombëtare nuk është të pyesësh për alternativa energjetike. Antikombëtare është të heshtësh para mafisë energjetike dhe përballë shantazhit që kompania e Vuk Hamoviqit u bën institucioneve tona”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka akuzuar gjithashtu se gjatë mandatit të qeverisë janë importuar mbi një miliard euro energji elektrike, ndërsa ka kritikuar edhe, sipas saj, heshtjen ndaj personave që lidhen me kompaninë GEN-I.

Në fund të reagimit, deputetja e LDK-së tha se Janina Ymeri nuk do të heshtet me, siç i quajti ajo, propagandë, linçime dhe montime deklaratash, duke shtuar se “e vërteta do të përballet me fakte, dëshmi dhe përgjegjësi”.