Babai i Faton Hajrizit flet për herë të parë, komenton suspendimin e komandantit të Policisë në Skënderaj

Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar komandantin e Stacionit Policor të Skenderajt, pasi ky i fundit shkoi për ngushëllime te familja e Faton Hajrizit.

Babai i Faton Hajrizit u shpreh kundër suspendimit të komandantit të Stacionit Policor të Skenderajt. Ai tha se ardhja e tij ishte “humanitare dhe jo politike”.

“Neve si familje na vjen shumë keq që ka ndodhë ajo punë, se ai u kan si komandant fort i mirë se e ka mbajtë rregullën…Ata që e kanë ba ata të Qeverisë dhe të Policisë, për mua nuk janë njerëz. Për mua janë si Serbia qe përpara që na ka përzënë prej pune, na ka rrah nëpër burgje, na ka torturu, je shku me pa e ka qit prej pune krejt. E kanë bo që janë ardhë me pa me polici tek unë, ajo është mënyrë humanitare nuk është politike”, tha ai për T7.

“IPK ka pranuar informatat e para për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe dyshohet se togeri policor së bashku me disa zyrtarë të tjerë policorë kanë shkuar për ngushëllime te familja e një personi  i cili para disa jave kishte ikur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, ku ishte duke vuajtur dënimin me burgim për disa vepra penale, (dhe së fundi i  njëjti është vrarë në territorin e Republikës së Serbisë nga policia atje)”, thuhej në njoftimin e IPK-së për rastin në fjalë.

Sipas IPK-së, “me këto veprime dyshohet se togeri policor dhe vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore -“Sjellje e rëndë diskredituese” e paraparë me aktet nënligjore të Policisë së Kosovës”.