Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që mbajnë derra të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë, pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vendet e rajonit, ku janë konfirmuar shpërthime të Mortajës Afrikane të Derrave (ASF).
Përmes një njoftimi, AUV thekson se, megjithëse deri më tani sëmundja nuk është konfirmuar në Republikën e Kosovës, rreziku i përhapjes mbetet i lartë. Për këtë arsye, institucioni vlerëson se zbatimi i masave parandaluese është thelbësor për mbrojtjen e fermave dhe parandalimin e hyrjes së virusit në vend.
Në bazë të Ligjit për Veterinarinë, AUV kërkon nga fermerët të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të panevojshme në ferma, të dezinfektojnë rregullisht hyrjet, pajisjet, automjetet dhe këpucët, të shmangin kontaktin e derrave me derrat e egër, të mos përdorin mbetje ushqimore për ushqimin e tyre dhe të blejnë kafshë vetëm nga ferma të regjistruara me dokumentacion veterinar.
Gjithashtu, fermerët ftohen që të njoftojnë menjëherë veterinerin ose Zyrën Rajonale të AUV-së në rast se vërejnë ngordhje të papritura, temperaturë të lartë, mungesë oreksi, dobësi apo shenja të tjera të pazakonshme te derrat.
AUV rikujton se Mortaja Afrikane e Derrave nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Megjithatë, ajo është një sëmundje shumë ngjitëse për derrat dhe mund të shkaktojë humbje të mëdha ekonomike nëse nuk respektohen masat e biosigurisë.
Agjencia bën të ditur se po monitoron vazhdimisht situatën epidemiologjike dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në Kosovë, duke theksuar se bashkëpunimi dhe përgjegjësia e çdo fermeri janë vendimtare për të parandaluar hyrjen dhe përhapjen e kësaj sëmundjeje.








