Modelja shqiptare, Ajsel Abazi, ka ndarë një reagim të gjatë dhe emocional në rrjetet sociale, ku ka folur për marrëdhënien me ish-partnerin e saj, futbollistin Eros Grezda, me të cilin ka një djalë.
Çifti u bë prind për herë të parë në vitin 2023.
Në postimet e publikuara në InstaStory, Abazi thekson se nuk e ka pasur zakon t’i ndajë çështjet personale publikisht, por këtë herë ka vendosur të flasë, pasi bëhet fjalë për mirëqenien e djalit të tyre.
“Ka momente kur heshtja nuk është më forcë, sidomos kur bëhet fjalë për një fëmijë që nuk ka zë për të treguar atë që ndien”, shkruan ajo.
Modelja sqaron se reagimi i saj nuk është hakmarrje apo përpjekje për të denigruar ish-partnerin, por një reflektim mbi përgjegjësinë e prindërimit.
Ajo shprehet se nuk e shqetëson fakti që Grezda ka vazhduar jetën e tij dhe ka një partnere të re, duke theksuar se secili ka të drejtë të kërkojë lumturinë. Sipas saj, problemi lind kur krijimi i një jete të re bëhet arsye që fëmija të mos mbetet më prioritet.
“Nuk më shqetëson fakti që babai i Kianit ka zgjedhur të vazhdojë jetën e tij apo që ka një partnere të re. Ajo që më dhemb është kur krijimi i një jete të re bëhet arsye që fëmija të mos jetë më prioritet”, shkruan Abazi.
Në vijim, ajo zbulon se kanë tentuar të ruajnë një marrëdhënie bashkë-prindërimi, por sipas saj kjo nuk ka funksionuar, pasi nuk janë respektuar kufijtë mes rolit të prindit dhe marrëdhënies së tyre si ish-partnerë.
Për këtë arsye, vendosi të kufizojë komunikimin, duke theksuar se dera ka qenë gjithmonë e hapur që babai të kalojë kohë me djalin.
Abazi deklaron gjithashtu se ekziston një ndryshim i madh mes të qenit prind biologjik dhe prind i pranishëm.
“Një fëmijë nuk mat dashurinë me dhurata apo premtime, por me kohën, praninë dhe përkushtimin”, tha mes tjerash.
Në një nga pjesët më të forta të reagimit, modelja pretendon se Grezda mungoi në ditëlindjen e tretë të djalit të tyre, ndonëse, sipas saj, pak ditë më parë kishte qenë në Tiranë me partneren e tij.
Ajo shton se ai e takon djalin vetëm një herë në muaj, edhe pse nuk i është vendosur asnjë pengesë.
“Një fëmijë pret me zemër, jo me kalendar”, shkruan ajo.
Abazi ndër tjera thotë se e ka lënduar edhe fakti që, sipas saj, djali i tyre trevjeçar është prezantuar me partneren e re të Grezdës në një kohë kur ende po përpiqet të kuptojë mungesën e të atit.








