Një person është arrestuar në Shtime, pasi dyshohet për sulm, kanosje dhe dhunë në familje ndaj nënës së tij.
Sipas komunikatës së Policisë, rasti është raportuar të mërkurën, më 7 maj 2026, rreth orës 13:20, në stacionin policor në Shtime.
“Një grua ka raportuar se ishte viktimë e dhunës fizike dhe kanosjes nga djali i saj”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se viktima ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“I dyshuari, mashkull 24-vjeçar, është shoqëruar në stacionin policor në Shtime dhe është intervistuar nga hetuesit e Njësisë së Dhunës në Familje”, theksohet në komunikatë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
“Prokurori i shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë, për procedura të mëtejshme hetimore”, bëhet e ditur në komunikatë.









