Arrestohen tri shtetase kolumbiane, ushtronin prostitucion në banesa me qira në Shkodër

Policia e Shkodrës ka arrestuar tri shtetase kolumbiane, që ushtronin prostitucion në dy apartamente që i kishin marrë me qira në këtë qytet.

Prangat u janë vendosur edhe dy shtetasëve shqiptarë, si dhe është proceduar penalisht pronarja e një apartamenti që e ka lëshuar me qira për qëllime prostitucioni.

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rent Home 3” u vunë në pranga shtetaset kolumbiane A. M., 48 vjeçe, P. B., 32 vjeçe dhe D. R., 27 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira një apartament në lagjen “3 Heronjtë” dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen D. D., 27 vjeçe, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

“Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, si dhe 6 telefona celularë”, thuhet në njoftim.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. /Klankosova.tv