Ambasadori spanjoll Vicente Canelles Montero ka komentuar situatën politike në Shqipëri duke kërkuar zgjidhje të saj përmes dialogut mes palëve e jo nga ndërkombëtaret.
Gjendja e krijuar, po ndikon sipas diplomatit të lartë në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.
“Është e vërtete që situata politike në Shqipëri është e tensionuar, por nuk janë ambasadorët e huaj ata që mund të vendosin sesi mund të kapërcehet kjo gjë. Vetëm shqiptarët mund të vendosin, sigurisht duke respektuar ligjin, shtetin e të drejtës, e Kushtetutë. Jeni ju ata që duhet të vendosni sesi mund të dilni nga ky moment i vështirë. Për mendimin tim ne të huajt jemi këtu vetëm për të vëzhguar situatën; nuk besoj se ambasadorët duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit”, tha Montero.
Diplomati spanjoll nuk ka anashkaluar as ngecin e krijuar prej mungesës të Gjykatës Kushtetuese.
“Këto janë vështirësi që duhet t’i zgjidhni. Duhet të gjendet një zgjidhje dhe pa kaluar shumë kohë madje” u shpreh diplomati.
E për sa i takon integrimit në BE, Montero u shpreh se Spanja ka qenë gjithmonë pozitive në lidhje me perspektiven e Shqipërisë, por vendit i duhet të zgjidhë fillimisht të zgjidhë problemet e tij sepse gjendja aktuale ia komplikon rrugën drejt bllokut. Komentin, ambasadori i bëri nga Korça, ku ishte i pranishëm në natën e dytë të Mik Festival, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.