Ambasadori i Kosovës në Gjermani jep një “lajm të jashtëzakonshëm”

Nga sot, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nuk do të figurojë si pjesë e Serbisë në të dhënat e autoriteteve gjermane.

Kjo pasaktësi është korrigjuar nga Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë, ka njoftuar sot ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti.

“Lajm i jashtëzakonshëm!”, shkroi sot ambasadori i Kosovës në Gjermani.

Ambasadori Ajeti tha se ANP “Adem Jashari” deri sot figuronte gabimisht si pjesë e Serbisë në të dhënat e autoriteteve gjermane.

“Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë (Luftfahrt-Bundesamt) ka korrigjuar pasaktësinë lidhur me Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës Adem Jashari, i cili prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë”, ka bërë të ditur ambasadori.

Diplomati kosovar tha se ky është një shembull “tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete.”