Opinion / “Unë jam unë, ai është ai dhe ju nuk jeni asgjë”; Infantino na e ka prishur futbollin

Nga Ivan Zazzaroni*

Gianni Infantino është Markezini del Grillo (zvogëlimi i emrit Marchese Onofrio del Grillo, një figurë satirike nga filmi italian i vitit 1981, është i qëllimshëm). “Unë jam unë, ai është ai dhe ju nuk jeni asgjë”, pra Infantino bën dhe zhbën sipas dëshirës, duke i bërë lajka të fuqishmit të radhës.

Senegali fiton Kupën e Afrikës në një finale me zhvillim të pazakontë, por që përfundoi normalisht. Pas ceremonisë së shpërndarjes së trofeut dhe festimeve, për të kënaqur federatën më të fuqishme dhe më pranë bashkëorganizimit të Botërorit, ai ia heq trofeun Senegalit dhe ia dorëzon Marokut. Lojërat kanë përfunduar.

Në Botërorin e Trump, sulmuesi i SHBA, Balogun, merr karton të kuq direkt, që do ta përjashtonte nga ndeshja e 1/8 finale me Belgjikën. Me kërkesë të qartë të presidentit amerikan, “I yni” nxjerr nga kapelja pezullimin me kohë dhe ia rikthen sulmuesin Pochettinos.

Nuk mbaron këtu; komisioni i tij i arbitrave cakton për ndeshjen jordanezin me pasaportë boshnjake Adham Makhadmeh. Një emër i panjohur. Teksa shkruaj, ende nuk e di si është sjellë ai; mund vetëm ta imagjinoj (nuk ishte luajtur ende ndeshja SHBA-Belgjikë 1-4).

Megjithatë, kam hequr dorë së fajësuari vetëm Infantinon, një njeri që luan poker me pesë asa në dorë. Akuza shkon edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij të shumtë; disa presidentë federatash, drejtuesit e arbitrimit (Collina), trajnerët si Wenger, që janë pjesë e komisionit teknik të FIFA-s dhe pranojnë gjithçka në heshtje, si dhe legjendat (nga Ronaldo te Roberto Carlos, nga Pirlo te Weah e Baggio), të cilët për disa dollarë më shumë legjitimojnë, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, të gjitha abuzimet që shohin. Një foto ose një “selfie” me shefin e madh dhe frika zhduket.

A e kuptojnë ata se çfarë po bën ky njeri? A është ky futbolli që ata e kanë dashur dhe duan të shohin? Pa folur për ndryshimet drastike të Botërorëve, krijimin e turneve të rinj e të panevojshëm, pushimet për të hidratuar sponsorët, mungesën e bashkëpunimit me të gjitha pjesët e tjera të sistemit dhe dështimin e rregullave për agjentët dhe tregun e transferimeve.

Dyshoj se Markezini, në krye prej 10 vitesh, dëshiron të thyejë rekordin e Jules Rimet, president për 31 vite. Duke bërë disa llogari, në vitin 2048, futbolli do të luhet në kopshtin e shtëpisë së tij, në Brigë të Zvicrës, nga ora 14:00 deri në 16:00. Gjithmonë nëse Trumpi i radhës nuk vendos ndryshe…

* Drejtor i “Corriere dello Sport”

The post Opinion / “Unë jam unë, ai është ai dhe ju nuk jeni asgjë”; Infantino na e ka prishur futbollin appeared first on Telesport.