Alarm në KEK – dëmtimi i azbestit shkakton probleme shëndetësore, gjermanët ikin nga punishtja

Një prej investimeve më të mëdha në KEK është shndërruar në një situatë alarmante për shëndetin e punëtorëve shqiptarë dhe inxhinierëve gjermanë, pasi gjatë punimeve në elektrofiltra është dëmtuar azbesti, material i rrezikshëm dhe kancerogjen. Gjermanët kanë pranuar trajtim mjekësor. Asnjë prej punëtorëve të KEK-ut nuk janë dërguar për mjekim, ndonëse kanë simptoma të kollës së thatë dhe kokëdhimbjes.

Një prej investimeve më të mëdha në KEK, është shndërruar në një situatë alarmi për korporatën.

Situata është shkaktuar si pasojë e dëmtimit të azbestit gjatë punimeve për modernizimin e Termocentralit Kosova B, të cilat kanë nisur gjatë këtij viti.

Sipas burimeve të Paparacit, incidenti ka ndodhur të enjten gjatë punimeve që po kryhen në dy blloqet e termocentralit, ku njëri është në remont të elektrofiltrave, ndërsa tjetri në remont të turbinës.

Tenderin për projektin e elektrofiltrave në Termocentralin Kosova B e ka fituar kompania gjermane “Engineering Dobersek GmbH”, ndërsa punimet po kryhen nga nënkontraktorë, përfshirë kompaninë shqiptare “Eurosteel”. Remontin e turbinës e ka kompania amerikane “General Electric”.

Burimet i kanë thënë Paparacit se gjatë punës në remontin e elektrofiltrave është dëmtuar azbesti, çka ka shkaktuar shpërndarjen e grimcave në hapësirat e punës duke i krijuar punonjsëve probleme shëndetësore. Azbesti është material i rrezikshëm dhe kancerogjen.

Punëtorët në vendpunishten e elektrofiltrave, të kompanisë shqiptare “Eurosteel” dhe ata të KEK-ut, i ka kapur kollitje e madhe dhe kollë e thatë, i kanë thënë Paparacit burime nga KEK-u.

Megjithatë, ata kanë vazhduar të punojnë derisa probleme shëndetësore janë shkaktuar edhe te pesë inxhinierë gjermanë të kompanisë “General Electric”, të cilët kanë qenë duke punuar në vendpunishtën tjetër.

Grimcat e azbestit kanë arritur të shpërndahen deri te vendpunishtja e turbinës përmes erës së fortë që ka fryrë gjatë këtyre ditëve, i kanë thënë Paparacit burime të mirëinformuara për ngjarjen. Dy vendpunishtet janë shumë afër njëra-tjetrës, tregojnë fotografitë që ka siguruar Paparaci.

Dy prej inxhinierëve gjermanë e kanë ndaluar punën dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Kompania amerikane, mostrat e analizave i ka dërguar në Gjermani dhe pas pranimit të raportit nga atje, i cili rezulton se grimcat kanë depërtuar në brendësi, kompania e ka ndaluar menjëherë punën.

Ndërsa, punëtorët shqiptarë nuk e kanë lënë ende punën, ka mësuar Paparaci.

Dje pasdite rreth orës 14:30, menaxhmenti i KEK i ka larguar punëtorët. Nuk i ka lënë ata të afrohen afër vendpunishteve dhe i ka vendosur shiritat përreth tyre.

Punëtorët e kompanive të kontraktuara për remontin e elektrofiltrave sot kanë shkuar në punë, por nuk i kanë lënë të punojnë. U kanë thënë të qëndrojnë në pritje deri në një vendim tjetër, raporton Paparaci.

Ndërkohë, ka punëtorë të kompanive private dhe të KEK-ut me kokëdhimbje dhe kollë të thatë.

Paparaci i ka dërguar mbrëmë pyetje menaxhmentit të KEK për të sqaruar incidentin, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. /Paparaci.com