Të mbyllësh një sezon pa asnjë humbje duhet të jetë kënaqësi e madhe për cilindo trajner. Megjithatë, ky sukses bëhet relativ nëse në fund të sezonit nuk shpallesh kampion. Një fat i ngjashëm ka bashkuar dy ish-trajnerë të Interit, Simone Inzaghi dhe José Mourinho.
Tek Al Hilal, Inzaghit nuk i mjaftoi ta mbyllte kampionatin pa humbje, pasi titullin në Arabinë Saudite e fitoi Al Nassr i Cristiano Ronaldos dhe Jorge Jesus. Edhe më keq i shkoi Mourinhos, i cili mbeti i pamposhtur, por përfundoi i treti në kampionatin portugez me Benfica, duke mos siguruar as Champions League.
Megjithatë, te Mourinho kjo periudhë duket se i ka hapur rrugën një rikthimi të mundshëm te Real Madridi. Diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe me Inzaghin, pasi aventura e tij në Arabinë Saudite mund të jetë drejt fundit, pavarësisht dëshirës për të vazhduar. Al Hilal mund të ndryshojë trajner pas dështimit në kampionat.
Ndërkohë, ai mbetet në radarët e Aurelio De Laurentiis për pankinën e Napolit pas Contes, madje ka pasur një kontakt të parë telefonik mes palëve për të vlerësuar mundësinë e marrëveshjes. Pengesa kryesore është paga e tij prej rreth 25 milionë euro në vit në Arabinë Saudite.
The post Inzaghi si Mourinho… I pamposhtur në kampionat, por pa titull. Napoli e kërkon për pas Contes appeared first on Telesport.









