Aktivi i drejtorëve të shkollave: Një hap i domosdoshëm për forcimin e arsimit

Shkruan: Burim Gjaka

Drejtimi i një shkolle nuk është thjesht një funksion administrativ, por një mision që formëson të ardhmen e gjeneratave. Drejtori është shtylla mbi të cilën mbështetet cilësia e mësimdhënies, siguria e nxënësve dhe bashkëpunimi me prindërit. Megjithatë, pavarësisht kësaj peshe të madhe, drejtori në Kosovë mbetet sot një ndër figurat më të ekspozuara dhe më pak të mbrojtura në sistemin arsimor. Në mungesë të një organizimi të përbashkët, ata veprojnë si individë të izoluar, shpesh të lënë në mëshirën e ndryshimeve politike dhe vullneteve të pushteteve lokale.

Krijimi i një Aktivi të Drejtorëve të Shkollave, nga niveli komunal deri te ai qendror, nuk duhet të shihet si akt kundërshtimi, por si një hap i domosdoshëm drejt profesionalizmit, bashkëpunimit dhe dinjitetit të këtij profesioni.

Drejtori mes përgjegjësisë dhe izolimit

Në rrethanat aktuale, mungesa e një organi përfaqësues ka krijuar një ambient ku shpesh favorizohet servilizmi në vend të meritokracisë. Një drejtor i vetëm e ka të vështirë të jetë zëri i arsyes përballë presioneve burokratike dhe politike. Në këto kushte, ai bëhet më i cenueshëm ndaj kompromisit, ndërsa një drejtor i organizuar brenda një strukture profesionale e ka më të lehtë të mbrojë integritetin e institucionit që drejton.

“Ndryshimi i vërtetë në arsim nuk ndodh përmes urdhrave që vijnë nga lart, por përmes bashkëpunimit të liderëve që ndajnë të njëjtin qëllim. Një drejtor i izoluar është një drejtor i kufizuar; një rrjet drejtorësh është motori i reformës.” — Michael Fullan

Pse DKA-të dhe shteti do të ishin përfituesit kryesorë?

Në kundërshtim me perceptimin e parë, një Aktiv i strukturuar do t’i shërbente drejtpërdrejt edhe institucioneve shtetërore. Ky organizëm mund të funksionojë si partner strategjik, me përfitime konkrete:

Efikasitet në komunikim: Në vend të takimeve të gjata dhe shpesh joefektive me dhjetëra drejtorë, DKA-të mund të komunikojnë me një përfaqësi të qartë, duke përshpejtuar vendimmarrjen dhe duke shmangur përsëritjen e kërkesave individuale.

Filtër profesional dhe standard ndërkombëtar: Sipas raporteve të TALIS (OECD), shkollat që praktikojnë udhëheqje bashkëpunuese kanë deri në 20% më shumë gjasa për performancë të lartë. Një Aktiv funksional do të shërbente si mekanizëm filtrues për politikat arsimore, duke ndihmuar në shmangien e vendimeve të paqëndrueshme ose të pazbatueshme.

Mentorim dhe ngritje e cilësisë:
Ky organizëm do të krijonte hapësirë për shkëmbim përvojash dhe mentorim. Drejtorët me përvojë do të mbështesnin kolegët e rinj, duke kontribuar në ngritjen e standardeve të menaxhimit në të gjithë sistemin arsimor.

Thirrje për drejtorët: Organizimi nuk dhurohet, ai ndërtohet

Përvoja ka treguar se ndryshimi rrallë vjen nga lart-poshtë. Institucionet shpesh e kanë më të lehtë të operojnë në një realitet ku drejtorët janë të fragmentuar dhe të pakoordinuar. Për këtë arsye, nuk duhet pritur që iniciativat e tilla të nisin nga vetë shteti.

Nisma dhe vullneti duhet të burojnë nga vetë drejtorët. Vetëorganizimi profesional është rruga më e sigurt për të mbrojtur integritetin e tyre, për të artikuluar shqetësimet reale dhe për të ndikuar në rritjen e cilësisë së arsimit.
Është koha që drejtorët të veprojnë së bashku. Krijimi i një Aktivi të fuqishëm nuk është vetëm një nevojë profesionale, por një detyrim moral ndaj nxënësve dhe të ardhmes së arsimit. Vetëm përmes një zëri të përbashkët dhe profesional, shkolla mund të rikthejë rolin e saj të merituar, si institucion i pavarur i dijes dhe jo si zgjatim i politikës ditore.