Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit me inicialet P.N., Z.D., I.I., S.M. dhe J.D., akuzohen se, në cilësinë e pjesëtarëve të Policisë serbe në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, kanë kryer krime lufte më 6 maj 1999.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kanë ndaluar dhe marrë me forcë pesë civilë, të cilët më pas janë transportuar nga stacioni i trenit në një lokacion të njohur si “Megja”, ku dyshohet se janë ekzekutuar me armë zjarri.
“PSRK-ja i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.









