Aksident vdekjeprurës në Durrës, automjeti përplas këmbësorin

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrësit. Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet policore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45, kur një automjet ka përplasur një këmbësor që po kalonte rrugën.

Përplasja ka qenë e fortë dhe, si pasojë e plagëve të marra, këmbësori i identifikuar me inicialet Xh. Zh. ka humbur jetën në vendngjarje, shkruan rtsh.al, transmeton klankosova.tv.

Nga ana e saj, policia ka bërë të mundur shoqërimin e menjëhershëm të drejtuesit të automjetit, shtetasit D. N., drejt ambientit të Komisariatit të Policisë Durrës, ku do të kryhen të gjitha veprimet e mëtejshme procedurale e hetimore.

“Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.”, thekson policia në njoftimin paraprak.