AGK-ja përkrah protestën e tri sindikatave të RTK-së pas vonesës së pagave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës qëndron në solidaritet të plotë me gazetarët, kameramanët dhe punonjësit e tjerë të RTK-së, të cilët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit paraprak.

Tri sindikatat, Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë paralajmëruar protestë për të martën. AGK-ja e përkrah këtë protestë dhe do t’i bashkohet asaj.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar nga gjendja aktuale financiare e RTK-së, e cila i ka lënë sërish pa paga 700 punonjësit e saj.

AGK-ja kërkon nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së që të punojnë për të gjetur një zgjidhje urgjente, në mënyrë që pagat të procesohen sa më shpejt.

AGK-ja i kërkon gjithashtu Qeverisë së Kosovës, e cila vazhdon të ndajë buxhet minimal për RTK-në, që të ndihmojë brenda kompetencave të saj për tejkalimin e kësaj situate të rënduar. Në të njëjtën kohë, AGK-ja i kërkon Qeverisë që të ndalojë ndërhyrjet dhe presionin ndaj pavarësisë editoriale të Transmetuesit Publik.

AGK-ja avokon për një ambient dinjitoz pune për punëtorët e RTK-së, një pjesë e të cilëve tash e disa kohë përballen me presione të formave të ndryshme nga menaxhmenti.