AEK-u i ka dhënë fund dominimit të Olimpiakosit që zgjaste prej shtatë sezonesh në futbollin grek. Verdhezinjtë e Athinës u kurorëzuan këtë të dielë kampionë të vendit.
Para 60 mijë spektatorëve në Stadiumin Olimpik të Athinës, AEK-u mposhti 2-0 skuadrën e Levadhiakosit dhe u ngjit në kuotën e 66 pikëve, tetë pikë më shumë se PAOK-u i Selanikut, kur kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar.
Megjithatë, dorëzimi zyrtar i trofeut do të bëhet pasi disiplina e futbollit grek të vendosë për fatin e takimit PAOK-AEK, i ndërprerë për shkak të trazirave dhe hyrjes së Presidentit vendas me pistoletë në fushë.
Vendimi konsiderohet thjesht formal dhe nuk pritet të penalizojë AEK-un, por PAOK-n.
Ndërkohë, Olimpiakosi e mbylli kampionatin në vendin e tretë, me 54 pikë dhe nëse do të luajë sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve apo jo, do të varet nga masa ndëshkimore që do të ndërmerret ndaj PAOK-ut.
Ky titull i mungonte AEK-ut që prej vitit 1994 dhe është titulli i 12 në historinë e klubit.