A ka një ‘PO’ nga LDK-ja nesër për VV-në?, Sadiku zbulon qëndrimin (VIDEO)

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka deklaruar se zvarritja e procesit politik mund ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa ka bërë të qartë se LDK-ja nuk e sheh veten si përgjegjëse kryesore për ngërçin institucional.

Në “Edicioni Special” në Klan Kosova, Sadiku tha se procesi është dashur të përfundojë brenda 30 ditësh pas certifikimit të zgjedhjeve, duke pretenduar se mosrespektimi i afateve mund të jetë pjesë e një strategjie për shtyrjen e zgjedhjeve.

Shumica e njerëzve në Kosovë kanë filluar me kuptua që gjithë kjo është një strategji e tyre që të shtyjnë procesin edhe të na dërgojnë prapë në zgjedhje në dhjetor me 27 dhjetor ashtu i vjen e diela e fundit edhe kjo ideja se ata janë në gjendje me shkelë mbi kushtetutën mbi aktvendimet e gjykatës vetëm që ta tjetërsojnë datën e zgjedhjeve është vërtetë shumë e dhimbshme edhe e trishtueshme si koncept nuk ish dashur një politikan, nuk ish dashur një qytetar, nuk ish dash askush në Kosovë me bë një diçka të tillë”, tha ai.

Sadiku kritikoi edhe mungesën e një marrëveshjeje politike, duke thënë se nëse do të kishte vullnet, zgjidhja do të mund të gjendej shumë shpejt.

Ai tha se ka mbështetur pjesëmarrjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në takimet me Vetëvendosjen, pavarësisht kritikave nga një pjesë e elektoratit.

Në fund, Sadiku kritikoi edhe Qeverinë Kurti, duke thënë se problemi kryesor nuk është çështja e presidentit, por, sipas tij, “mospuna dhe keqqeverisja”.