Adelina Thaçi rikandidon për deputete: Duhet të ndalim këtë dergjë që po rrezikon vendin

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adelina Thaçi, ka bërë të ditur se do të jetë sërish kandidate për deputete në zgjedhjet e ardhshme, pasi ka marrë besimin e Degës së 3-të “Presidenti Ibrahim Rugova” në Prishtinë, duke u zgjedhur njëherësh edhe pjesë e Kryesisë së saj.

Përmes një postimi publik, Thaçi ka falënderuar strukturat e degës për besimin e dhënë, duke e cilësuar këtë si përgjegjësi të shtuar për angazhim politik.

Ajo ka theksuar se gjatë mandatit të saj në Kuvend është përpjekur të jetë “zë i sinqertë, profesional dhe i përkushtuar” i votuesve të LDK-së, duke veçuar mbështetësit që, sipas saj, për 36 vjet kanë mbajtur gjallë misionin rugovian.

Thaçi ka bërë të ditur se në legjislaturën e 10-të është renditur e 26-ta për nga aktiviteti parlamentar mes 120 deputetëve, me 10 fjalime në seancat plenare për projektligje dhe çështje të ndryshme, pa përfshirë angazhimin e saj në Komisionin parlamentar për Kulturë, Sport dhe Turizëm, ku ka ushtruar detyrën e zëvendëskryetares.

Sipas saj, ky vlerësim përbën obligim për të vazhduar angazhimin politik me “dinjitet, përkushtim, seriozitet dhe besnikëri”.

Në mesazhin e saj, Thaçi ka bërë thirrje për unitet brenda LDK-së dhe mobilizim për zgjedhjet e 7 qershorit.

“Vetëm LDK e bashkuar mundet dhe duhet ta ndalë këtë dergjë që po rrezikon vendin”, ka shkruar ajo.