A janë këta dy emrat e propozuar nga LDK për President?

Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, është diskutuar për takimin e sotëm mes krerëve të LVV-së dhe të LDK-së.

Pas takimit, as Albin Kurti e as Lumir Abdixhiku nuk pranuan të japin emra, pasi thanë se takimi ka qenë i përqendruar në profilin, kriteret dhe parimet mbi emrin e presidentit/es.

Ndërkaq, autorja e emisionit “Jehona Politike”, Jehona Bajrami, përmendi dy emra që mund të kenë qenë të propozuar nga LDK-ja për president.

“Megjithatë, emrat që kanë dalë, nëse thirremi në atë çfarë kërkon LDK dhe çfarë kërkonte LVV, mund t’i kenë takuar LDK-së, por jo sot. Njëri nga ta është përfolur edhe në të kaluarën si kandidat për president. Ndërkohë që profesori tjetër, që në fakt ka pasur veprimtari të madhe në LDK, nuk ka një aktivitet politik sot në LDK. Çka merr LDK-ja nga këta dy persona?”, pyeti Bajrami opinionistin Azdren Shala. “Besoj të kujtohet edhe koha kur në të kaluarën është përmendur zotëri Ilaz Ramajli si kandidat për presidenti. Ibrahim Berisha në anën tjetër profesor, me të kaluar në LDK”.

Shala ndërkaq tha se nuk ka informacion nëse këta emra janë të propozuarit e LDK-së dhe shtoi se nuk mund të japë vlerësime për ta, “përjashto Fatmir Sejdiuin që u përmend, mendoj që të paktën Sejdiu si emër, duke e njohur Kurtin si politikan qysh funksionon, është i papranueshëm”. /