Abdixhiku porosi nga Vitia: Fryma e bashkimit po rritet çdo ditë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim me qytetarë në Viti, ku ka theksuar se mbështetja për LDK-në dhe fryma e bashkimit po forcohen vazhdimisht.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Abdixhiku e vlerësoi Vitinë si një qytet me traditë pune, qëndrueshmërie dhe vendosmërie.

“Në qytetin e punës, qëndrueshmërisë e njerëzve që nuk dorëzohen lehtë, pamë edhe një herë se fryma e bashkimit po rritet çdo ditë”, tha ai.

Lideri i LDK-së vlerësoi edhe gjykimin politik të qytetarëve të Vitisë, duke kujtuar mbështetjen që ata i kanë dhënë ndër vite kryetarit të komunës, Sokol Haliti.

“Vitia di të qëndrojë drejt dhe të zgjedhë mençur; siç ka zgjedhur Sokol Halitin katër herë rresht”, u shpreh Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se në takimin me qytetarët është diskutuar për projektet dhe prioritetet zhvillimore të vendit, me fokus në mbështetjen e familjeve, të rinjve, bujqësisë dhe qytetarëve që punojnë.

“Folëm për projektet, zhvillimin dhe për një Kosovë që i jep më shumë mbështetje familjes, rinisë, bujqësisë e secilit qytetar që punon ndershëm”, deklaroi ai.

Në kuadër të prezantimit të kandidatëve për Kuvendin Komunal, Abdixhiku njoftoi se në Viti garojnë Vjollca Kadolli Halili me numër 36, Arta Ajeti me numër 70, Ibush Beqiri me numër 71 dhe Robert Ukiq me numër 87.

Në fund të adresimit të tij, kreu i LDK-së u shpreh i bindur se qytetarët e Vitisë do të vazhdojnë të mbështesin njerëzit që, sipas tij, përfaqësojnë vlera dhe integritet.

“Vitia e diti gjithmonë vlerën e njerëzve të mirë. Bashkë, po nisim një rrugëtim të ri”, përfundoi Abdixhiku.