Abdixhiku për platformën “Hajde Folim”: Ejani, uluni me ne, flisni lirshëm

Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se platforma “Hajde Folim” po vazhdon takimet direkte me qytetarët në qytete të ndryshme të Kosovës.

Ai tha se kjo është e vetmja platformë politike në vend që komunikon drejtpërdrejt me qytetarët, duke theksuar se synimi është dëgjimi i halleve të tyre.

Sot, Abdixhiku ishte në Lipjan, ku u takua me qytetarë në një atmosferë që sipas tij u karakterizua nga interesim dhe shpresë për ndryshim.

Postimi i plotë:

“Hajde Folim” është platforma e vetme politike sot në Kosovë ku komunikojmë drejtpërdrejt me qytetarët.

Jemi në çdo shesh, në përballje të lirë e të ndershme me njerëzit tanë; për të dëgjuar, për të folur dhe për të kuptuar më mirë Kosovën që jeton çdo ditë.
Sot ishim në Lipjan.

Në qytetin e kryetarit kampion Imri Ahmeti.
Dhe aty pamë jo vetëm kureshtje, por edhe shpresë. Sepse kur njerëzit ndihen të dëgjuar, lind sërish besimi se gjërat mund të ndryshojnë.

Prandaj, në çdo qytet ku do të jemi, ejani. Uluni me ne. Flisni lirshëm. Na tregoni për jetën tuaj, për brengat, idetë e shpresat tuaja. Sepse Kosova nuk ndryshon nga larg; ndryshon kur njerëzit bëhen bashkë, flasin hapur dhe ndërtojnë besimin tek njëri-tjetri.