“A pate more burrë kohë 30 ditë?”, Tahiri i ashpër pas moskonstituimit: Papërgjegjësi e VV-së

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar procesin e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si të dëmshme për vendin.

Para mediave, Tahiri ka thënë se afatet kushtetuese kanë kaluar dhe se qytetarët presin funksionalizimin e institucioneve, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, të moskonstituimit të Kuvendit. Ka kaluar afati kushtetues dhe sot, kur qytetarët është dashur të presin që institucionet të konstituohen, që Kuvendi të jetë funksional dhe të zgjidhet kryetari, del Albin Kurti dhe u thotë qytetarëve se na duhet ende kohë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka kritikuar Kurtin për mungesë të konsultimeve me partitë politike, duke thënë se procesi duhej të kishte nisur më herët.

“A pate more burrë 30 ditë kohë me diskutu me partitë? Nëse qëllimi ka qenë për të dalë nga ky rreth dhe për të pasur një vizion dyvjeçar, pse nuk është folur me partitë për presidentin? Nyja kryesore është te presidenti”, ka thënë Tahiri, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, zvarritja e procesit mund të krijojë probleme të reja institucionale dhe mundësi për përplasje kushtetuese.

“A po don me krijua edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese? Kjo është papërgjegjësi totale e VV-së”, është shprehur ai.

Tahiri ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po përdor vonesat si strategji për përfitime politike.

“Këto janë taktika për të bërë pazare politike, për të blerë pak kohë, në mënyrë që t’i merr të tria institucionet”, ka deklaruar Tahiri.