A është arrestuar Labinot Rexha? Gazetari sqaron gjithçka për rastin pas videos së publikuar (VIDEO)

Gazetari Agon Rexhepi ka folur për rastin e këngëtarit Labinot Rexha, pas videos së publikuar në rrjete sociale ku ai shihet duke shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.

Rexhepi në Ora Shtatë në Klan Kosova, ka sqaruar se Labinot Rexha nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës, pavarësisht raportimeve të disa portaleve, por ndaj tij është hapur një rast dhe autoritetet janë duke u marrë me këtë çështje.

Sipas tij, Policia e Kosovës e ka kontaktuar këngëtarin pas publikimit të videos, ndërsa ai ka shprehur gatishmëri për t’u paraqitur para organeve kompetente.

Ka pasur aludime se është arrestuar, por në fakt nuk është arrestuar. I njëjti ka shprehur vullnet për t’u paraqitur në Policinë e Kosovës për rastin në fjalë”, ka deklaruar Rexhepi.

Gazetari ka theksuar se përdorimi i armëve gjatë ahengjeve vazhdon të jetë një problem në Kosovë, duke bërë thirrje që festimet të zhvillohen pa armë.

Sipas tij, veprime të tilla janë veçanërisht shqetësuese kur ndodhin në ambiente ku ka shumë njerëz, përfshirë edhe fëmijë.

Rasti tashmë është proceduar dhe pritet të trajtohet nga institucionet përkatëse, përfshirë Prokurorinë e Kosovës.