Shënohet 19 vjetori i Ditës së Eksodit dhe të pagjeturve
Me moton “Mos e harroni të kaluarën, për një të ardhme të sigurt drejt bashkimit kombëtar”, të dielën në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” u mbajt tubim përkujtimor për shënimin e 19-vjetorit të Ditës së “Eksodit 99”.
Atë kohë, forcat serbe dëbuan me dhunë për në Shqipëri popullatën shqiptare të Mitrovicës me rrethinë, me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës. Në këtë tubim përveç familjarëve të dëshmorëve, familjarëve të viktimave të luftës, ish-luftëtarëve, morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, si dhe një delegacion nga Bashkësia e Kukësit.
Po ashtu, në “Shtëpinë Muze” që ndodhet në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, është shënuar sot Dita e të pagjeturve, ku janë përkujtuar 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri ka thënë së ‘Eksodi 99’ përshkruan peripecitë dhe sakrificat e të gjithë atyre që atë kohë u detyruan dhunshëm të braktisin shtëpitë dhe vatrat e tyre për t’u nisur në drejtim të Shqipërisë, andaj ne si institucione duhet të angazhohemi që të kaluarën mos ta harrojmë, me qëllim që e ardhmja e brezave që vijnë të jetë me e ndritur.
Më pas kryetari Bahtiri së bashku me bashkëpunëtoret e tij dhe me kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu kanë nderuar heronjët dhe dëshmorët duke vënë kurora me lule në varrezat e Dëshoreve në Shipol, në Muzeun e Lagjes së Boshnjakëve, në Rrugën e Kovacëve dhe tek kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ky aktivitet përfundon nesër në Kukës me një tubim të madh.