Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë më 7 qershor, se për serbët do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, sepse Albin Kurti “ka nisur një gjueti ndaj tyre”, por se ai do ta mbështesë Listën Serbe dhe do të luftojë për pozitat e serbëve, transmeton Paparaci.
“Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për ne. Albin Kurti ka nisur një gjueti ndaj serbëve, ndaj njerëzve që janë pushuar nga puna për mosrespektim të disiplinës së punës. Ai ka filluar të arrestojë serbët më të respektuar, drejtorë shkollash dhe qendrash shëndetësore. Dhe kjo po bëhet me urdhër të Nenad Rashiqit, por gjithmonë gjenden serbë të tillë që do të jenë përkrah atyre që duan t’i përndjekin serbët”, ka thënë Vuçiqi për televizionin në shërbim të regjimit të tij, RTS.
I pyetur se çfarë pret nga zgjedhjet, ai u përgjigj se do ta mbështesë me gjithë forcën Listën Serbe.
“Do të luftojmë. Do ta mbështesim Listën Serbe me gjithë forcën tonë dhe do të luftojmë për pozitat e popullit serb. Ndërsa shqiptarët do të bëjnë gjithçka që munden për t’i mposhtur serbët, për t’u dhënë me forcë mbështetje shërbëtorëve të tyre dhe atyre që duan ta shkatërrojnë Serbinë”, ka pretenduar Vuçiqi.
I pyetur nëse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një qëllim real, ai u përgjigj se qëllimet janë Asociacioni dhe “mbijetesa” e komunitetit serb.
“Absolutisht Asociacioni, kjo është nënshkruar më 19 prill 2013. Por, po ashtu është edhe mbijetesa e popullit tonë. Ne presim se kur dhe në çfarë mënyre shumëkush do ta kujtojë se respektimi i Kartës së OKB-së dhe i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk ka alternativë”, ka përsëritur propagandën tashmë të vjetërsuar presidenti i Serbisë./Paparaci.com









