Mblidhet Kryesia e PDK-së – çka diskutoi?

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur të martën pasdite, në të cilën ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe hapat e ardhshëm të partisë.

Në mbledhje, siç njofton kjo parti, është vlerësuar angazhimi i Grupit Parlamentar për, siç thuhet, “mbrojtje të Kushtetutës, rendit juridik dhe vlerave demokratike në vend”.

“Kryesia e PDK-së vlerësoi se janë evidente shkeljet e Kushtetutës, shkeljet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, duke konkluduar se këto paraqesin cenim të vetë themeleve të shtetit të Kosovës si shtet demokratik dhe parlamentar”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vlerësuar se “mbrojtja e Kushtetutës, institucioneve dhe rendit demokratik mbetet përgjegjësi e përbashkët dhe se PDK-ja është e vendosur në përmbushjen e këtij obligimi”.

Kryesia e PDK-së u shpreh se “do të vazhdojë t’i përcjellë me vëmendje zhvillimet politike në vend dhe do të ndërmarrë veprimet e duhura për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, demokracisë dhe parlamentarizmit në Kosovë”. /