Meha: Përmbaruesit kanë marrë miliona nga komunat, Qeveria nuk u ka dhënë asnjë ndihmë (VIDEO)

Kryetarët e komunave pritet të protestojnë më 3 shtator para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie për çështjet me të cilat po përballen komunat.

Secili kryetar komune pritet të angazhohet për të shprehur shqetësimet dhe pakënaqësitë e komunës që drejton, duke kërkuar që problemet e tyre të adresohen nga institucionet qendrore.

Juristja Doruntina Meha ka folur për vështirësitë financiare me të cilat po përballen komunat, duke përmendur edhe çështjen e përmbaruesve dhe kontratave kolektive.

“Ka pasur një dëmtim shumë të madh të buxhetit për shkëputjen e atyre kontratave kolektive. Unë e di çka ka ndodhur. Përmbaruesit kanë marrë miliona të komunave dhe Qeveria nuk u ka dhënë asnjë dorë komunave, sidomos komunave që nuk i qeveris Vetëvendosje. Kështu që është një problem shumë i madh me komunat”, tha Meha në “Kosova Today”.

Ajo theksoi se gjendja financiare ka ndikuar edhe në pagesat për administratën komunale dhe në investimet kapitale.

“Administrata e komunave mbetet pa paga, ndërsa milionat që i kanë pasur për investime kapitale kanë shkuar nëpër ato kontrata kolektive të mësimdhënësve dhe i kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë komunat”, tha Meha. /