Zhvillime dramatike tek Ura e Ibrit, Ferati: Asnjeherë s’ka siguri (VIDEO)

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka komentuar situatën në urën kryesore të Mitrovicës, duke thënë se vazhdon i njëjti situacion sa i përket lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve.

Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Ferati tha se qytetarët vazhdojnë të lëvizin lirshëm në urë, ndërsa qarkullimi i automjeteve mbetet i ndaluar.

Ai e cilësoi paralajmërimin për zëvendësimin e njësive të xhandarmërisë me pjesëtarë të Policisë së Kosovës si një sinjal se çështja është trajtuar nga institucionet e sigurisë.

Ajo çka është e rëndësime ne Mitrovicë pra në urë, vazhdon i njëjta situacion që ka qenë edhe më herët, lëvizja e lirë e qytetarëve, ndërsa ndalesa e lëvizjes për automjete. Informacione se do të zëvendësohet njësitet e xhandarmerisë me njësitet e policisë së Kosovës është një paralajmërim se është vlerësuar nga instancat e vlerësimit të siguresë, pasiqë ura gjithmonë është trajtua si një diçka që e lidhe me sigurinë e asaj pjese dhe dihet cilat janë ato organe të sigurisë që kanë vendos që në atë urë të mos ketë qarkullim sikur nëpër urat e tjera, pasiqë në atë pjesë janë disa ura, por ne jemi duke flasur për të ashtuquajtur urën kryesor”, tha Ferati.

Sipas tij, situata në veri vazhdon të mbetet e ndjeshme dhe nuk mund të përjashtohet mundësia e tensioneve.

“Asnjëherë nuk kemi ndonjë siguri në raport me veriun se a mund të ketë ndonjë tensionim”, u shpreh ai.