Mëngjesin e së shtunës, në Stenjevec të Zagrebit, shpërtheu një zjarr në një sallon për kujdesin e kafshëve shtëpiake. Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, u shpëtua pronarja, e cila u gjet pa ndjenja, ndërsa nga hapësira e mbushur me tym u nxor edhe qeni i saj.
Zjarri përfshiu hapësirën afariste të vendosur në një zonë për këmbësorë. Para mbërritjes së zjarrfikësve, qytetarët tentuan ta vinin nën kontroll zjarrin përmes dritares, duke përdorur aparate për shuarje fillestare, raporton .
Më pas, ekipet zjarrfikëse hynë me forcë në sallonin e mbyllur dhe e shuan zjarrin, i cili ishte përhapur në një sipërfaqe prej rreth gjashtë me katër metra.
Pas shuarjes së zjarrit, zjarrfikësit nisën kontrollimin dhe ajrosjen e hapësirës nga tymi. Në njërën prej dhomave, të cilën zjarri nuk e kishte përfshirë drejtpërdrejt, ata gjetën pronaren e re pa ndjenja.
“Gjatë kontrollit, gjetëm një grua e cila ishte gjallë, por pa ndjenja, në një dhomë që nuk kishte qenë direkt e përfshirë nga zjarri. Zjarrfikësit menjëherë nisën t’i ofrojnë ndihmë dhe t’i japin oksigjen deri në ardhjen e ekipit të Asistencës Emergjente Mjekësore. Pronarja më pas u transportua për ekzaminim mjekësor”, tha Brigada e Zjarrfikësve të Zagrebit në një postim në Facebook.
Sipas njoftimit, bashkë me pronaren, u shpëtua edhe qeni i saj, i cili besnikërisht kishte qëndruar me të.
“Për qenin do të kujdesen shërbimet kompetente deri në kthimin e pronares”, thanë zjarrfikësit, duke i uruar asaj rikuperim të shpejtë. /








