Jehona Sadriu-Lushaku ka folur në detaje për zhvillimet e fundit rreth moskonstituimit të legjislativit, gjatë emisionit “Jehona Politike” në Klan Kosova.
Ajo ka deklaruar se së shpejti do të merren vendime për veprime politike, ndërsa i ka bërë thirrje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, dhe kësaj partie që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për konstituimin e institucioneve.
Vendimet për aksione politike do t’i ndërmarrim së shpejti. Do ta definojmë edhe se si do të reagojmë në situata të caktuara. Sot për sot po i bëjmë thirrje Kurtit edhe Vetëvendosjes, edhe Deharit, që është deputeti më i vjetër që i ka rënë që ta udhëheqë dhe ta thërrasë seancën, që ta bëjë këtë sa më shpejt që është e mundur. S’ka asnjë arsye. Është krejt përgjegjësia e tyre”, ka thënë Sadriu-Lushaku.
Sa i përket pozitës së presidentit, Sadriu-Lushaku ka deklaruar se do të japin kontributin e tyre, bazuar në përgjegjësinë që ua ka dhënë qytetari, me qëllim të konstituimit të institucioneve.
Ndërkaq, ajo ka kritikuar Vetëvendosjen për qasjen ndaj negociatave politike, duke thënë se kjo parti duhet të tregohet më serioze dhe të mësohet me rregullat bazike të demokracisë.
Ata duhet me u pjek si parti politike, duhet me i mësu rregullat bazike të demokracisë edhe me u mësu me i thirrë të tjerët në negociata e me u mësu që negociatat nuk janë vetëm për t’u parë e për të bërë shou mediatik, po janë për të dhënë rezultat në fund”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, një rezultat i tillë do t’i atribuohej më së shumti Vetëvendosjes, për shkak të pozitës së saj si partia më e madhe.
“Prandaj ne veç po i bëjmë thirrje që ta luajë këtë rol që ia ka dhënë qytetari, të bëhet serioz, t’i respektojë rregullat dhe të luajë në bazë të rregullave demokratike, qashtu qysh bëjnë krejt shtetet evropiane e SHBA-të, e gjithkund ku ka shtete demokratike”, ka thënë Sadriu-Lushaku.
Në fund, ajo ka theksuar se Vetëvendosja, si partia më e madhe, mban edhe përgjegjësinë më të madhe për krizën politike.
“Është partia më e madhe. Përgjegjësia më e madhe për këtë katrahurë, për këtë krizë politike gjatë dy viteve të kaluara, ju takon më së shumti atyre”, ka përfunduar ajo.









