Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë ndër më të lidhurat në Evropë me familjen, duke ruajtur një strukturë tradicionale ku kontaktet e përditshme me familjarët dhe miqtë shërbejnë si shtylla kryesore e stabilitetit emocional dhe mbështetjes së ndërsjellë.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga zyra evropiane e statistikave, Eurostat, rreth 24.6% e qytetarëve në Shqipëri takohen me rrethin e tyre shoqëror apo familjar çdo ditë, një tregues ky që e pozicionon vendin tonë dukshëm mbi mesataren e shumë ekonomive të zhvilluara të Evropës Perëndimore dhe Veriore.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për përqindjen e popullsisë që realizon kontakte të përditshme, disa vende në Evropë renditen më mirë se Shqipëria, në krye të të cilave spikat Qiproja me 48.1%, e ndjekur nga Sllovakia me 29.1% dhe Kroacia me 26.9%.
Ky intensitet i lartë i bashkëveprimit social, në një kohë që vendet perëndimore karakterizohen gjithnjë e më shumë nga rritja e individualizmit dhe struktura të izoluara banimi, ku në Francë treguesi i takimeve të përditshme regjistrohet në vetëm 10%, në Austri në 6.8%, në Holandë në 5.1% dhe në Suedi në 3.6%, dëshmon për një formë të veçantë të “kapitalit social” që ruan rolin e një amortizuesi të rëndësishëm në mbështetjen e mirëqenies së përditshme.
Përveç këtyre takimeve të përditshme që përbëjnë një peshë të konsiderueshme, statistikat e Eurostat tregojnë se 20.5% e popullsisë shqiptare zhvillon takime javore, ndërsa 15.7% e qytetarëve takohen me miqtë apo të afërmit e tyre një herë në muaj dhe rreth 19.3% raportojnë kontakte periodike disa herë në muaj.
Shoqëria shqiptare vazhdon të ruajë me forcë një model të bazuar te lidhjet e ngushta, ku kontaktet e shpeshta fizike dhe mbështetja e ndërsjellë mbeten baza e përditshmërisë.
Në një analizë më të gjerë socio-ekonomike, ky “kapital social” i trashëguar shërben shpeshherë si një rrjetë e rëndësishme sigurie përballë sfidave të vazhdueshme të standardit të jetesës dhe të ardhurave të kufizuara. Ekspertët e çështjeve sociale vënë në dukje se ndihma e ndërsjellë brenda rrethit familjar zbut deri diku goditjet financiare, megjithatë sfidat mbeten të mëdha për shkak të lëvizjeve demografike dhe emigracionit që rrezikojnë të tkurrin këto bërthama tradicionale./Monitor.al









