Shpërthim i fuqishëm në portin e Roterdamit, humb jetën një person, plagosen disa të tjerë

Një shpërthim në portin holandez të Roterdamit të enjten la të paktën një person të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur, njoftoi policia e qytetit.

Policia bëri të ditur se shpërthimi në portin më të madh të Evropës ndodhi paraditen e së enjtes dhe se është krijuar një perimetër sigurie në vendngjarje për të përcaktuar shkakun, shkruan Associated Press, \.

Në një postim në rrjetet sociale, ata thanë se shpërthimi “për momentin duket të jetë një aksident në punë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Në vendngjarje, zëdhënësi i policisë së Roterdamit, Daan Valkenburg, i tha agjencisë “Associated Press” se nuk janë nxjerrë ende përfundime përfundimtare dhe se “po i mbajmë të hapura të gjitha mundësitë”.

Shpërthimi ndodhi në një rafineri dhe terminal karburanti të operuar nga kompania “Gunvor Energy”, në një zonë industriale të portit të gjerë. Transmetuesi holandez NOS raportoi se një ekip mirëmbajtjeje po punonte në një seksion të tubacioneve në atë zonë.