Situata e zjarreve në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet nën kontroll, ndërsa strukturat e mbrojtjes civile dhe shërbimet zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjet në vatrat ende aktive.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në koordinim me strukturat përgjegjëse, po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë territorin, shkruan rtsh.al, \.
Fushë-Arrëz
Në vendin e quajtur Podina, në fshatin Kryezi, Njësia Administrative Qafë-Mali, zjarri raportohet nën kontroll.
Në terren ndodhen dy grupe të MZSH Fushë-Arrëz, të cilat po vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të vatrës.
Shkodër
Në fshatin Rrenc, Njësia Administrative Gur i Zi, vatra e zjarrit është izoluar. Ekipet e MZSH-së po vijojnë ndërhyrjen për shuarjen e plotë të zjarrit.
Malësi e Madhe
Në fshatin Goraj-Budish, Njësia Administrative Kastrat, vijon të jetë aktive një vatër zjarri.
Në terren janë angazhuar forcat e MZSH-së dhe Shërbimit Pyjor, të cilat po ndërhyjnë me pompa shpine për izolimin e vatrës.
Sipas autoriteteve, nuk paraqitet rrezik për banesat, ndërsa situata po ndiqet në dinamikë.
Vau i Dejës
Në territorin e Bashkisë Vau i Dejës nuk evidentohen aktualisht vatra aktive.
Zjarri i raportuar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Vau i Dejës, në hyrje të rrugës së Komanit, është shuar plotësisht.
Megjithatë, zona vijon të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar çdo mundësi riaktivizimi.
Autoritetet bëjnë me dije se monitorimi dhe ndërhyrjet do të vijojnë deri në eliminimin e plotë të rrezikut nga zjarret në të gjithë territorin e qarkut.









