Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për shantazh dhe ngacmim, pas një hetimi të zhvilluar edhe përmes masave të veçanta hetimore.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari S.Q. dyshohet se nga qershori i vitit 2025 deri më 13 gusht 2026, në Prizren dhe përmes rrjeteve sociale, ka kanosur dhe shantazhuar një grua me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm financiar.
I dyshuari, përmes aplikacionit WhatsApp, dyshohet se i ka bërë presion të dëmtuarës duke e kërcënuar se do t’u publikonte dhe dërgonte familjarëve materiale që, sipas tij, do t’i cenonin nderin dhe autoritetin.
Në këtë mënyrë, sipas dyshimeve të Prokurorisë, ai ka kërkuar dhe ka përfituar deri në 50 mijë euro nga e dëmtuara. Kjo e fundit dyshohet se ka siguruar paratë, ndër të tjera, edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj.
Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari dyshohet se ka vazhduar komunikimet e padëshiruara dhe kërcënuese, duke i shkaktuar të dëmtuarës frikë dhe shqetësim të madh emocional për veten dhe familjen.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një veturë dhe dy telefona celularë.
S.Q. ndodhet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria, brenda afatit ligjor, do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave relevante.









