Një tjetër kosovar arrestohet nga Serbia

Një tjetër shtetas i Kosovës është arrestuar nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit mes Serbisë dhe Kroacisë.

Sipas njoftimit të avokatit Arianit Koci, bëhet fjalë për Dugagjin Maxhunin, nga Beci i Gjakovës, i lindur më 10 maj 1979.

Koci ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se Maxhuni fillimisht është ndaluar për verifikim. Pas disa orësh, familja është njoftuar se ai është transferuar në Beograd dhe se procedurat ndaj tij po vazhdojnë.

“Për momentin ende nuk janë të qarta rrethanat dhe baza juridike e ndalimit. Jam duke i verifikuar informacionet dhe duke e përcjellë rastin”, tha Koci.