Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri i është drejtuar me një kërkesë publike kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari nga i cili ka kërkuar zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Tahiri përmes një postimi në Facebook publikoi letrën duke thënë që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
“Në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe të respektimit të procedurave parlamentare, kam propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit. Pres konfirmimin e kohës dhe vendit të takimit”, ka shkruar Tahiri.









