Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv që synon reduktimin e vaksinave të rekomanduara në SHBA, kurse ka propozuar ndarjen e vaksinës së kombinuar MMR në tre vaksina të veçanta.
Gazetari Vullnet Krasniqi në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova tha se këto vendime te Donald Trump rrezikojnë t’i japin më shumë legjitimitet teorive konspirative të njerëzve.
“Kjo nuk është punim shkencor. Kjo është thjeshtë për përdorim të brendshëm në Amerikë për shkak që shumica e votuesve të Trumpit e përkrahin këtë lëvizje. Edhe rreziku është që përshembull ideja e Amerikës, ideja e Trumpit, e dikujt të një shteti shumë të rëndësishëm që del me këto vendime ekzekutive e rrit ose i jep legjitimitet teorisë konspirative ose prindërve ose njerëzve në Kosovë që thonë që edhe Amerika po thotë kështu qysh kena thënë edhe ne”, tha ai.
Doktoresha, Aurora Dollenberg tha se deklarata e Trump nuk ka asnjë bazë shkencore.
“Si kundër e gjithë deklarata e Trumpit që nga ana shkencërisht nuk ka asnjë lloj baze dhe është komplet e gabuar edhe ndarja e vaksinës së MMR-së në tre doza pra të fruthit, të rubeolës dhe të shytave. Pra janë tre doza të ndryshme vaksinash të cilat kombinohen me një që ne e quajmë në përgjithshme vaksina kundra fruthit, por janë dhe dy sëmundje të tjera ngjitëse që parandalohen me MMR-në. T’i ndash këto nuk ka asnjë lloj kuptimi, sepse ka studime tashmë në të kaluarën që kanë krahasuar fëmijët të cilët e kanë marrë dozat veç e veç, sepse shumë shtete të varfra, për shembull si Shqipëria, Kosova, ndonjëherë nuk i kanë kapacitetin ekonomik që të marrin këtë dozën e kombinuar të treja njëherësh, por i marrin veç e vetë sipas mundësisë dhe janë krahasuar pikërisht këto fëmijë që kanë marrë vetëm një dozë dhe ata që i kanë marrë të treja njëherësh dhe është parë që rezultati në sistemin imunitar, pra në mbrojtje ndaj të fëmijës ndaj infeksioneve ka qenë pothuajse i njëjti. Edhe nga ana logjike nuk duhet të jemi të gjithë mjekë dhe shkencëtarë të kuptojmë që se si i japim veç e veç apo i japim të dyja bashkë nuk bëjmë ndonjë ndryshim sepse për fëmijën për trupin e fëmijës ka antitrupa mbrojtës të njëjtin rezultat madje është favor ku jepen të treja në një sepse të gjithë prindërit kanë atë merakun e efekteve anësore si alergjitë”, tha ajo.








