Tentoi t’u jepte ryshfet policëve në Bërnjak, arrestohet shtetasi serb

Një shtetas serb është arrestuar nën dyshimin se ka tentuar t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë në Pikën e Kalimit Kufitar në Bërnjak.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar dhe është trajtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë Veri.

Pas pranimit të informatës, policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, ndërsa me udhëzim të prokurorit kompetent janë intervistuar i dyshuari dhe dy dëshmitarë, \.

Gjatë veprimeve policore, nga i dyshuari është sekuestruar përkohësisht një bankënotë, e cila dyshohet se ishte destinuar për t’u dhënë si ryshfet zyrtarëve policorë.

Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë.