Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka kritikuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës për prishje të imazhit të prodhimeve vendore të qumështit.
Në një konferencë për media, Rafuna ka thënë se Kosova është është mbytur nga importi.
Ai ka kërkuar me urgjencë që të mos merren veprime që prishin imazhin dhe krijojnë panik te konsumatorët.
“Është një situatë e padrejtë që po trajtohen prodhimet tona për shkak se ky është një zinxhir i tërë që i përfshin. Ne gjithmonë kemi kërkuar që të mbështeten edhe ashtu kemi pak prodhime që prodhohen në Kosovë dhe na ka mbytur importi. Nëse i krahasojmë me vitet e mëparshme nga viti 2022 mbi 1 miliardë është rritur importi, ndërsa eksporti ka mbetur në vlera të njëjta. Deficiti tregtar nga 18.6 për qind në 2022 është tkurrur në 14.4 për qind. Kërkojmë me urgjencë nga institucionet e vendit, nga AVUK-u por edhe nga ministria e bujqësisë që të mos marrin veprime që prishin imazhin dhe panik te konsumatorët”, ka thënë Rafuna.
Ai ka shtuar se prodhimet vendore janë segment i rëndësishëm ekonomik, duke premtuar se janë prodhime me standardet më të larta.
“Produktet e Kosovës prodhohen me standarde më të larta, produkte që jam dëshmitarë që i bëjnë konkurrencë produkteve që prodhohen që 100 vjet, jo vetëm në tregun rajonal por edhe evropian. Nuk meritojnë këtë trajtim, kërkojmë që të subvencionohen e të mbrohen. Janë një segment shumë i rëndësishëm ekonomik”, ka deklaruar ai.
Ai ka bërë të ditur se me ndalimin e prodhimit të qumështit, mijëra punëtorë do mbesin pa punë, e sidomos fermerët që mund t’i humbasin bagëtitë e tyre.
Rafuna ka theksuar se Kosova ka kapacitet që të eksportojë edhe në tregun evropian, por që sipas tij, AVUK nuk ka ndihmuar në certifikatë që të jenë të njohura nga Bashkimi Evropian. /







